“Veteranët e rrejshëm” do të obligohen t’i kthejnë pensionet në buxhetin e shtetit

LAJME

Gjykata Supreme e Kosovës ka konfirmuar se gjykatat duhet të obligojnë “veteranët e rrejshëm”, t’i kthejnë përfitimet e paligjshme nga pensionet në buxhetin e Kosovës.


Një interpretim të tillë, Gjykata Supreme e Kosovës e ka dhënë në shtator të vitit 2020, në rastin e të dënuarit Albert Krasniqi i cili akuzohej nga Prokuroria e Pejës se kishte përfituar pension në emër të veteranit përmes dokumenteve të falsifikuara shumën prej 3,740 euro.

Për këtë akuzë, Krasniqi ishte gjykuar nga Gjykata Themelore në Pejë me 6 muaj burgim ku me pëlqimin e tij, ky dënim, i ishte zëvendësuar me 1200 euro gjobë.

Ndaj tij ishte shqiptuar dënimi plotësues që i njëjti të kompensonte dëmin ndaj Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), në shumë prej 3.740 euro.

Ky vendim ishte vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit në prill të këtij viti, duke e refuzuar ankesën e mbrojtës të pandehurit si të pabazuara.

Mirëpo, me pretendimin se Gjykata e Pejës dhe Apelit kishte bërë shkelje procedurale dhe shkelje të ligjit material, i pandehuri Krasniqi përmes mbrojtësit të tij ka paraqitur kërkesë për mbrojtjen e Ligjshmërisë në Gjykatën Supreme.

Sipas mbrojtjes gjykatat e rregullta kanë bërë shkelje të ligjit penale kur ishte obliguar i dënuari për të kthyer shumën prej 3740 euro të marra në emër të pensioneve, pa patur kërkesë për kompensim nga e dëmtuara Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Mirëpo një pretendim të tillë të mbrojtjes, si të pabazuar e ka refuzuar Gjykata Supreme e Kosovës.

Sipas Supremes, gjykata e shkallës së parë ka vepruar drejtë kur ka shqiptuar dënimin plotësues “urdhëri për kompensimin e dëmit”, ndaj të dënuarit Krasniqi, pasi sipas Supremes shqiptimi i dënimit të tillë është obligativ për gjykatën në rastet kur konstaton se është shkaktuar dëm material si pasojë e veprës penale, edhe pa patur kërkesë nga pala e dëmtuar.

“Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, gjykata e shkallës së parë drejt ka vepruar kur e ka shqiptuar edhe dënimin plotësues, urdhri për kompensimin e humbjes apo dëmit të paraparë me nenin 64 par.1 të KPK, sepse kur gjykata dënon personin i cili është shpallur fajtor për çfarëdo vepre penale që përfshin vjedhjen, humbjen, dëmtimin apo shkatërrimin e pasurisë, gjykata do të urdhërojë kryesin që të bëjë dëmshpërblimin e viktimës së veprës penale. Në rastin konkret pra gjykata nuk është e lidhur me kërkesën pronësoro-juridike nga ana e të dëmtuarës sepse shqiptimi i dënimit plotësues është obligative konform nenit 62 të KPK. Pra, gjykata këtë dënim plotësues e ka shqiptuar duke marrë parasysh se MPMS është palë e dëmtuar dhe se sipas nenit 62 dhe 64 të KPK, ka mundur të shqiptoj një dënim të tillë plotësues pa kërkesën pronësoro-juridike të paraqitur nga ana e të dëmtuarësa”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës Supreme.

Ndryshe, ky vendim gjyqësor konfirmon rekomandimet e IKD-së të cilat i kishte dhënë për sistemin e drejtësisë në trajtimin e rasteve të “veteranëve të rrejshëm”.

Instituti i Kosovës për Drejtësi(IKD), në shtator të vitit 2019, pas analizimit të rasteve gjyqësore dhe aktakuzave të Prokurorisë së shtetit që lidhshin me rastet e veteranëve ka publikuar raportin analitik me titullin” “Drejtësia “amniston” veteranët e rrejshëm, dëmton buxhetin e Republikës së Kosovës: Analizë e aktakuzave, proceseve gjyqësore dhe aktgjykimeve në rastet e “veteranëve të rrejshëm”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

IKD kishte gjetur se sistemi i drejtësisë kishte “amnistuar”, veteranët e rrejshëm pasi nuk kishin obliguar të pandehurit t’i kthejnë pensionet e kundërligjshme të marra në emër të kinse veteranit luftëtar.

Si rrjedhojë IKD ka rekomanduar që me qëllim të mbrojtjes së buxhetit në trajtimin e këtyre rasteve, Prokuroria e Shtetit të bëjë propozime për shqiptimin e dënimeve plotësuese për kompensimin e dëmit të shkaktuar me përfitimet e kundërligjshme të “veteranëve mashtrues” nga buxheti i Republikës së Kosovës dhe se gjykatat e Republikës së Kosovës, edhe në mungesë të një propozimi nga Prokurori i Shtetit, kanë kompetencë ligjore që sipas detyrës zyrtare të shqiptojnë dënime plotësuese.