Totaj kritikon zyrtarët: Tolaj: Në vend të planifikimeve, thoshin “Vera po vjen, virusi po shkon – urime Kosovë”

LAJME

Infektologu Ilir Tolaj ka thënë se rritja e rasteve me COVID-19, që ka ndodhur ditëve të fundit në Kosovë, është një ecuri normale e një pandemie.


“Çdokush që ka mundur ta ketë një iluzion që Kosova e kryn me valën e parë ka qenë një iluzion jashtëzakonisht jorealist, siç është çdo iluzion. Është dashur të presim që pas valës së parë dhe masave kufizuese të cilat kanë qenë herën e parë, në momentin kur lirohen masat dhe fillon komunikimi dhe lëvizja e popullatës, atëherë domosdo që do të rritet numri i të infektuarve. Parashikimet kanë qenë edhe më herët që vala e dytë do të jetë edhe më e fuqishme sesa vala e parë. Ka pasë kohë që të planifikohet çdo gjë, nëse jo çdo gjë, atëherë shumica e gjërave kanë mundur të planifikohen”.

“Më kujtohet se në vend që të ketë këso planifikime ka pasë më shumë prononcime në Facebook edhe të zyrtarëve, madje edhe të sektorit të shëndetësisë, të stilit “Vera po vjen, virusi po shkon. Urime Kosovë”. Kanë qenë definitivisht qëndrime jashtë çdo logjike edhe shëndetësore edhe shkencore”.

Ai, në Info Magazine të Klan Kosovës, ka thënë se masat e reja anti-COVID-19, që janë miratuar sot nga Qeveria e Kosovës, duhet të shihen varësisht nga qëllimi për të cilin janë marrë.

“Masat do të duhej t’i shikojmë se cili është qëllimi i qeverisë. Nëse qëllimi është vetëm ulja e numrit të rasteve, atëherë sa më restriktive që janë masat janë aq më të efektshme. Nëse e ndalim jetën krejt dhe mbyllim të gjitha veprimtaritë ku do të mund të grumbullohen njerëzit, atëherë për një muaj është e mundur që ta zvogëlojmë numrin e rasteve të reja në 100. Por, a është ky qëllimi i qeverisë ose shoqërisë në përgjithësi? Mendoj se do të duhej që të merrej parasysh edhe një element tjetër që brenda këtyre muajve të forcohen kapacitetet, edhe kuantitativisht edhe kualitativisht, shëndetësore”.

Tolaj ka thënë Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike që nga fillimi i pandemisë nuk ka bërë asgjë, përpos testimeve kufizuese.

“IKSHPK tani del me këshilla jashtëzakonisht restriktive dhe të cilat ndonjëherë autoritetet e tjera që do të duhej t’i shihnin në mënyrë më kritike po i marrin si të mirëqena dhe obligative”.

Infektologu ka thënë se nëse qëllimi i masave të reja, që do të hyjnë në fuqi nesër pasdite, është ulja e numrit të rasteve të reja do të jenë efektive, por do të kenë një çmim të caktuar.

“E shoh që një çmim i caktuar do të paguhet edhe në shëndetësi. Duke u marrë me COVID-19 ne kemi harruar të sëmurët e tjerë  – kardiakë, me sëmundje malinje, me sëmundje të tjera kronike dhe të tjerë – dhe e kemi shndërruar gjithë sistemin shëndetësor në një sistem që po merret me një sëmundje të vetme”.

Ai ka deklaruar se derisa masat e reja për parandalimin e përhapjes së COVID-19 janë në një linjë me masat që po marrin shtetet në Europë nuk duhet harruar që Kosova është larg të qenit në një linjë me vendet europiane sa i përket kapaciteteve shëndetësore.

“Kosova do të duhet që të ketë modifikim të këtyre masave duke lejuar jetën dhe në anën tjetër duke u kujdesur për rastet që i kemi. Është një element jashtëzakonisht i rëndësishëm që përkundër numrit kaq të madh të rasteve, ne ende nuk kemi numër eksesiv të rasteve të hospitalizuara. Në Kosovë janë rreth 600-700 të hospitalizuar. Ai sistem shëndetësor i cili në javën e tretë ose të katërt të valës së dytë nuk mund të ballafaqohet me 600 të sëmurë, atëherë nuk është diçka në rregull me atë sistem shëndetësor”.