SHSKUK-ja e papërgatitur për situatën, rrezik nga mungesa e oksigjenit

LAJME

Për rreth dy muaj, Kosova kishte pasur trend të rënies së numrit të rasteve me COVID 19.


Ajo periudhë nuk i kishte mjaftuar Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të KOsovës që të bëjë përgatitjet e nevojshme për përballje me koronavirusin.

Zgjerimi i kapaciteteve të oksigjenimit qendror ishte planifikuar që të bëhej teksa pritej një valë e dytë. Një gjë e tillë deri tani nuk ka ndodhur. Deri tani është bërë vetëm plani si të bëhet zgjerimi i rrjetit qendror, por nuk ka nisur puna.

Kosova ka trend të rritjes së rasteve me COVID 19.

Në 24 orët e fundit në Kosovë, 12 persona me COVID-19 kanë vdekur. Derisa janë regjistruar 491 raste të reja me COVID-19 nga 1,137 testime të bëra, që është për 700 më pak, së një ditë më parë.

Për pacientet me COVID 19, në gjendje më të rënduar, oksigjenimi është jetik.

Tenderi për projektim është kryer në shtator të këtij vitit, por deri tani nuk ka nisur zgjerimi i rrjetit.

Shumica e spitaleve publike në Kosovë, furnizohen me bombola të oksigjenit.

E vetmja gjë që është investuar këta muaj, është blerja e bombola të zbrazura të oksigjenit.

Kanë blerë 1000 bombola.

Megjithatë siç ka mësuar KOHA, kompanitë që furnizojnë spitalet publike me oksigjen me kapacitet të plotë, po arrijnë të sjellin brenda ditës vetëm 370 bombola oksigjen.

Siç kanë thënë burimet e KOHËS, bordi i SHSKUK-së dhe MSH-ja janë njoftuar që me rritjen e numrit të pacientëve pa u bërë një zgjidhje, spitalet nuk mund të furnizohen me më shumë oksigjen.

Edhe pse një pjesë e QKUK-së dhe spitaleve publike kanë sistem qendror të oksigjenimit, shumica nga to nuk kanë cisterna. Në mungesë të tyre bombolat lidheshin me sistem qendror, ndërsa ndërrimi bëhet mekanik, duke mos lënë mundësi për rezerva.

Për të zgjidhur këtë problem, QKUK-ja ka hapur tender për kontraktimin e cisternave.

Rreth gjysmë milioni euro do të blihen tetë cisterna.

Por kur Kosova po shënon rritje të shpejtë të rasteve pozitive me COVID 19, tenderi ende nuk ka përfunduar.

Edhe nëse tenderi nënshkruhet, në dosje të tenderit kompanisë i është lënë mundësia që deri në 4 muaj ta vonojë sjelljen e cisternave.

Kosova është një nga shtetet e vetme në rajon që nuk ka pika të mbushjes të oksigjenit mjekësor.

Në mungesë të saj, kompanitë e licencuara, çdo ditë e sjellin oksigjenin nga Maqedonia ose Serbia.