SHBA mbetet e përkushtuar ndaj Marrëveshjes së Washington, kushdo që fiton zgjedhjet

LAJME

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Anthony Godfrey,  këtë ja ka konfirmuar presidentit serb Aleksandar Vucic, ka thënë ky i fundit në adresimin e tij të enjten para qytetarëve serbë. Diplomati amerikan kishte theksuar se zgjedhjet e 3 nëntorit dhe rezultati nuk do të kenë ndikim në këtë marrëveshje.


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vucic, e kishte nisur konferencën për media pas takimit me ambasadorët e Kuintit.

 

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vucic, përgjatë një fjalimi drejtuar popullit serb, mes tjerash ka folur edhe për me rëndësinë e dialogut mes Kosovë-Serbi duke theksuar nevojën e zgjidhjes sa më parë.

 

“Është e rëndësishme t’iu them se konflikti Nagorno-Karabak tregon se konfliktet e ngrira mund të përshkallëzohen në çdo moment. Situata me Kosovën nuk do të jetë e lehtë në muajt e ardhshëm. Nuk duhet t’ua lëmë fëmijëve tanë konfliktin e ngrirë”, deklaroi ai.

Tutje, ai ka paralajmëruar se në rast të mos-arritjes së një marrëveshje, një konflikt i ngjashëm mund të ndodhte mes dy vendeve, andaj ai “do bëjë gjithçka për të vazhduar negociatat” në mënyrë që të evitohet një skenar i tillë.

“Mesazhi më i rëndësishëm për ne është mesazhi i paqes dhe dialogut. Ne duhet të kujdesemi për të ardhmen e fëmijëve tanë”, deklaroi tutje Vucic.

Në skenën politike në Kosovë ka zëra që kërkojnë ndërprerjen e dialogut me Serbinë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian pas ngjarjeve të rënda javën e kaluar. Ishte kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, tani ushtruese e detyrës së presidentit të shtetit, që e kishte shprehur këtë mendim.

Lidhur me procesin e dialogut ka folur për Periskopin edhe i pari i LDK’së, partisë qeverisëse, Isa Mustafa, i cili ka thënë se momentalisht nuk bëhet fjalë për ndërprerje të dialogut.

 

“Kërkesa për ndërprerje të dialogut nuk mund të arsyetohet. As z.Thaçi dhe as z.Veseli nuk kanë kërkuar ndërprerje të dialogut, sa kanë qenë në Kosovë, e as nga Haga; nuk i kanë përzier Dhomat e Veçanta me dialogun. As PDK-ja. E kam theksuar se dialogu nuk zhvillohet për Serbinë por zhvillohet për interesa të Kosovës, për njohje reciproke”, ka thënë Mustafa