Serbët të shqetësuar me fitoren e Biden, Covic: Shpresoj që të mos harrojë që na bombardoi

LAJME

Ish-kryeministri serb Nebojsha Covic ka thënë se shpreson që Presidenti i zgjedhur i Amerikës, Joe Biden të mos harrojë që bombardoi Serbinë, dhe sipas politikanit serb  prova e parë e Biden si president do të jetë qëndrimi i tij ndaj marrëveshjes së fundit të nënshkruar në Washington


Ish- Shefi i Qendrës për Koordinim në Kosovë, Covic thotë se beson që iniciativën e zgjidhjes së problemeve Kosovë-Serbi, Presidenti i ri i SHBA’së Joe Biden do t’ia lërë Bashkimit Europian.

 

“Shpresoj që ai të mos harrojë për shkak të moshës që na bombardoi. Ne do të shohim se çfarë hapi do të ndërmarrin për sa u përket neve, kjo varet se cilët njerëz do të vijnë, cilët do të jenë sekretarët e shtetit. Duke parë akumulimin e atyre njerëzve, ata janë nga Partia Demokratike”, tha Covic për RTS.

 

Ndërsa edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vucic, tha mbrëmë se fitorja e Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në Amerikë do të ishte më e mirë për Serbinë, por se ai do ta uronte Joe Biden për fitoren e tij.

Vuçiç theksoi se do të jetë më e vështirë për Serbinë me Biden, “sepse Trump nuk mori pjesë në bombardimet dhe njohjet e Kosovës, ndryshe nga Biden”.

Kujtojmë, që Biden si kandidat për president, Joe Biden ka thënë se do të ndryshonte shumë nisma në politikën e jashtme të administratës Trump, të tilla si tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga marrëveshje ndërkombëtare dhe ka thënë se do të punonte në riparimin e marrëdhënieve transatlantike, që sipas tij, kanë qenë çelësi i stabilitetit në Evropë në 75 vjetët e kaluar.

Ish-nënpresident dhe senator, që ka shërbyer për pothuajse 50 vjet në Washington, Biden beson se Shtetet e Bashkuara mund t’iu qasen më së miri kërcënimeve botërore duke udhëhequr aleanca të shteteve demokratike.