Qeveria Hoti mban mbledhje urgjente pas zhvillimeve të fundit politike

LAJME

Kreu i Qeverisë, Avdullah Hoti ka thirrur sot në ora 09:00 mbledhje të ekzekutivit.


Në një njoftim të nisur nga Qeveria bëhet e ditur se mbledhja do të mbahet në mëngjes, megjithatë, nuk janë dhënë detaje për pikat e rendit të ditës.

Pas kësaj mbledhje, Hoti do të dalë të flas në konferencë para gazetarëve.

Kjo mbledhje e Qeverisë vjen një ditë pas arrestimit nga Specialja të tash ish-presidentit të vendit, Hashim Thaçit, ish-kreut të PDK-së, Kadri Veselit, shefit të grupit parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi dhe ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi.

Qeveria mbrëmë përmes ministrit të Drejtësisë, Selim Selimit ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit. Selimi tha se nuk kanë qenë të informuar për operacionet  e fundit të Speciales, e për këtë arsye do do të mbajnë mbledhje urgjente të ekzekutivit.

Aktakuza për katër prej figurave kyçe të UCK-së është bërë mbrëmë publike nga Specialja.

Deri më tani Qeveria ka reaguar pas zhvillimeve të fundit, duke deklaruar se askush nuk mund të shpallet fajtor pa një vendim përfundimtar të drejtësisë.

Në anën tjetër, derisa Kosova u lëkund nga zhvillimet e fundit, Hoti dje ishte duke qëndruar me disa anëtarë të kabinetit në Vatikan.

Kujtojmë që dje gjatë ditës, si ushtruese e detyrës së presidentes është emëruar Vjosa Osmani.

Kryeparlamentarja mund të qëndrojë në këtë pozitë deri në gjashtë muaj, nëse deri atëherë nuk sigurohen votat për një president të ri të shtetit.