MPJ’ja kërkon nga përfaqësuesit institucionalë të mos përfaqësojnë Kosovën askund pa simbole shtetërore

LAJME

Kryediplomatja e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla ka kërkuar nga të gjitha përfaqësuesit insitucional të mos prezantojnë vendin askund, pa përdorur simbolet shtetërore.


Haradinaj- Stublla ka theksuar se kohëve të fundit ka vërejtur se disa zyrtarëve të lartë të Kosovës u është kërkuar t’a shmangin paraqitjen pranë simboleve shtetërore, sipas kërkesës së Serbisë, me qëllim të bllokimit të pjesëmarrjes së Kosovës në organizime rajonale dhe ndërkombëtare.

 

“Përfaqësuesit e Kosovës, e kanë për obligim që çdo përpjekje të kujtdoqoftë, që synon t’a prezantoj në nivel më të ulët shtetin tonë, të mos e pranojnë dhe t’a theksojnë faktin se Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran dhe demokratik i qytetarëve të saj. Shteti i Kosovës është njohur nga 117 vende, si nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shumica dërmuese e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, shumica e shteteve të rajonit dhe më gjerë si dhe është anëtare e agjencive të specializuara të OKB-së si Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe e shumë organizatave tjera rajonale dhe ndërkombëtare”, ka shkruar Haradinaj- Stublla ndër të tjerash në Facebook.

 

Ky është reagimi i plotë i saj:

Si Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i ftoj të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, që në asnjë rast të mos përfaqësohen pa simbole shtetërore.

Kohëve të fundit janë vërejtur tendenca dhe insistime që në forume të ndryshme, zyrtarëve të lartë të Kosovës u është kërkuar t’a shmangin paraqitjen pranë simboleve shtetërore, sipas kërkesës së Serbisë, me qëllim të bllokimit të pjesëmarrjes së Kosovës në organizime rajonale dhe ndërkombëtare.

Respektimi i Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi nuk janë çështje dëshirore! Edhe Marrëveshja e Brukselit për Përfaqësim dhe Bashkëpunim rajonal nuk e ndalon përdorimin e simboleve, përkundrazi – prandaj emri i Kosovës duhet të jetë i barabartë me të gjitha emrat tjerë të shteteve pjesëmarrëse dhe në rast përdorimit të simboleve të shteteve tjera, organizatorët e takimeve janë të obliguar ti vendosin edhe simbolet e Republikës së Kosovës, në linjë dhe me qëllimin e përfaqësimit të barabartë të Republikës së Kosovës. Por, kjo nuk do të ndodhë pa kërkuar ne, apo pa respektuar ne veten dhe qenësinë e shtetit tonë.

Përfaqësuesit e Kosovës, e kanë për obligim që çdo përpjekje të kujtdoqoftë, që synon t’a prezantoj në nivel më të ulët shtetin tonë, të mos e pranojnë dhe t’a theksojnë faktin se Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran dhe demokratik i qytetarëve të saj. Shteti i Kosovës është njohur nga 117 vende, si nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shumica dërmuese e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, shumica e shteteve të rajonit dhe më gjerë si dhe është anëtare e agjencive të specializuara të OKB-së si Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe e shumë organizatave tjera rajonale dhe ndërkombëtare. Me 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konfirmuar legjitimitetin dhe legalitetin e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, ndërsa Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka mirëpritur opinionin e GJND-së, me rezolutën e miratuar më 9 shtator 2010.

Po ashtu, është e papranueshme se si institucione të caktuara të Republikës së Kosovës dhe parti politike parlamentare, përdorin termin “Republikë” kur i referohen Serbisë – dhe atë madje edhe në shkresa zyrtare e publike. Me këtë rast i bëj thirrje edhe Kuvendit të Kosovës, e me theks të veçantë grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, që kur thërrasin interpelanca, të mos e përdorin emërtimin e ashtuquajtur “Republika e Serbisë”, e as kur shkruajnë letra ndërkombëtare siç qe rasti mbrëmë me publikimin e letrës dërguar Presidentit të zgjedhur Amerikan Biden ku i referohej Serbisë si Republikë!
Përdorimi i emërtimit ‘Republika e Serbisë’ ndërsa Serbia lufton Republikën tonë dhe përdor ndaj saj emërtime shoviniste, nuk është në harmoni me konceptin e reciprocitetit politik qe dikur na predikonte ish kryeministri Kurti.

Pavarësia e Kosovës është rezultat i përpjekjeve dhe sakrificave shekullore të popullit tonë për liri, pavarësi e demokraci. Për shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës u sakrifikuan shumë breza, që kulmoi me luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Prandaj çdo përfaqësues i Republikës së Kosovës, e ka obligim ligjor dhe moral që të mbrojë dhe prezantojë me dinjitet shtetin dhe në asnjë formë të mos e lejojë nëpërkëmbjen e simboleve të tij.

Këtë propozim-udhëzim do t’a paraqes edhe në mbledhjen e radhës së Qeverisë së Kosovës.