Limaj përlotet në konferencën pas arrestimit të Jakup Krasniqit: Ai do ta bëjë atë betejë për ta dëshmuar të vërtetën tonë historike

LAJME

Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, i përlotur ka folur në një konferencë për media pas arrestimit dhe nisjes së anëtarit të kësaj partie, Jakup Krasniqit për në paraburgimin e Dhomave të Specializuara në Hagë.


Limaj ka thënë se s’ka pasur fare nevojë që Dhomat e Specializuara të veprojnë me forca aq të mëdha policore.

“Ne mendojmë që kanë qenë tërësisht të panevojshme skenat e tilla. Angazhimi shumë forcave policore ka qenë në disproporcion me nevojën. Nëse ka qenë e nevojshme për drejtësinë, ka mundur të bëhet krejt ndryshe, pa pasë nevojë për përforcimi të tilla, t’i shkohet në 6 të mëngjesit të futet në shtëpi në këtë kohë COVIDI, pa pasë nevojë t’i traumatizojë familjen. Por thjesht duke e njohur personalitetin e Jakup Krasniqit, kjo ka mundur të bëhet në mënyrë krejt tjetër”, ka thënë Limaj.

“Është arrestuar ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi me urdhër arrest të Dhomave të Specializuara dhe është përcjellur për në Hagë. Ne si Nismë gjithmonë kemi qenë pa ekuivoke dhe pa kompromis në shërbim të drejtësisë. Kemi qenë gjithmonë në interesat e drejtësisë”, ka theksuar Limaj.

Limaj ka thënë se NISMA është krenare për veprën e Krasniqi. Ai ka thënë se Krasniqi do të dijë të mbrojë lirinë e drejtësinë.

“Unë e di se z.Krasniqi do ta bëjë atë betejë për ta dëshmuar të vërtetën tonë historike, të drejtën e tij personale”, tha Limaj.