Komuna e Prishtinës u del në ndihmë bizneseve, ndan 5 milionë euro për to dhe 100 mijë për mediat

LAJME

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka njoftuar se kanë ndarë pesë milionë euro për t’u dalur në ndihmë bizneseve të vogla në kryeqytet.

Ahmeti ka bërë me dije se gjithashtu kanë ndarë një fond prej 100 mijë eurosh për mediat që operojnë në Prishtinë. Ai ka shtuar se procesi i ndarjes së granteve do të jetë transparent në formë elektronike.

“Në ditët në vijim do të fillojmë procesin e ndarjes së granteve për mikrobizneset dhe bizneset e vogla. Kemi ndarë 5 milion € për këtë qëllim. Duke marr parasysh numrin e bizneseve në Prishtinë kjo është ndihmë e vogël, por për mikro dhe bizneset e vogla mund të jetë domethënëse në pandemi. Procesi do të jetë transparent (online).

Po ashtu kemi ndarë një fond prej 100 mijë eurosh për mediat që janë në Prishtinë. Raportimi dhe gazetaria janë tepër të rëndësishme dhe vështirësitë financiare nuk mund të jenë arsye e mbylljes për shumicën prej tyre në këtë kohë. Komisioni për ndarjen do të jetë me shumicë nga vetë përfaqësuesit e këtij grupi me të cilët jam takuar javën e kaluar”, ka shkruar Ahmeti.