Kolona me kilometra në hyrje të Prishtinës, para mbylljes së fundjavës

LAJME

Kolona të gjata janë bërë në hyrje të Prishtinës. Njerëzit po nguten që të hyjnë në Prishtinë para hyrjes në fuqi të masave të reja anti-Covid.

Qeveria sot e miratoi vendimin për masat e reja kundër coronavirusit.

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës mori vendim që nga ora 20:00 e ditës së sotme deri të hënën, në orën 05:00, t’iu ndalohet veprimtaria të gjitha subjekteve afariste dhe bizneseve, me qëllim frenimin e përhapjes së coronavirusit.

Në këtë periudhë do të mbyllen edhe qendrat tregtare dhe rekreative dhe subjektet që ofrojnë shërbime të gastronomisë në të gjithë territorin e Kosovës.

Vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë po ashtu parasheh që furrat e bukës, barnatoret, dyqanet e vogla dhe pompat e derivateve të mbeten të hapura.
Vendimi e obligon edhe Policinë e Kosovës që të bëjë “kontroll rigoroz” të zbatimit të masave.

Ai vjen pasi, ditëve të fundit, në Kosovë është shënuar rritje e numrit të rasteve me coronavirus.

Të premten, nga testimi i 1,827 mostrave, pozitive kanë dalë 728.
Krahas vendimit të sotëm të Qeverisë së Kosovës për masat e veçanta kundër coronavirusit, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, mori vendime të veçanta edhe për shtatë komuna të Kosovës – Prishtinën, Fushë Kosovën, Gjilanin, Obiliqin, Gjakovën, Podujevën dhe Shtimen – për ndalimin e hyrje/daljeve të qytetarëve dhe automjeteve private nga sot, ora 20:00, deri të hënën, ora 05:00.

Përjashtim nga ky vendim do të bëjnë: personeli shëndetësor dhe personeli i sigurisë; qytetarët për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim dhe për shitje të mallrave esenciale; operatorët ekonomikë dhe transpoti i lirë i mallrave/shërbimeve për të siguruar funksionimin e zinxhirit të furnizimit, si dhe kompanitë ndërtimore dhe operatorët që kryejnë punë publike.

Vendimi hyn në fuqi ditën e sotme dhe paralajmërohet se edhe komunat e tjera që hyjnë në zonën e kuqe të infeksionit – që do të thotë se kanë numër më të lartë të rasteve me xoronavirus – do të përballen me masa të njëjta.