Këto janë masat e vendosura sot nga Qeveria Hoti: Nga ora 19:00 mbyllet çdo gjë në komunat me rrezik të lartë

LAJME

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka komunikuar tek qytetarët të gjitha masat e reja të vendosura kundër përhapjes së COVID-19, të cilat do të hyjnë në fuqi nga e premtja. Kufizimet janë vendosur në bazë të rrezikshmërisë nëpër komuna.


Kryeministri Hoti ka thënë se komuna janë ndarë në tri grupe, me rrezik të ulët, të mesëm dhe të lartë, dhe se ndryshojnë kufizimet mes këtyre kategorive.

Më poshtë iu sjellë kufizimet e vendosura në bazë të rrezikshmërisë nëpër komuna, ku ajo me rrezik të ulët paraqitet me ngjyrë të gjelbër, me rrezik të mesëm ka ngjyrë portokalli, dhe qytetet me rrezikshmëri të lartë janë me ngjyrë të kuqe.

Komuna me rrezik të ulët – Nga ora 05:00-20:00 operatorët punojnë në komunat me rrezik të ulët, shfrytëzohet transporti publik maksimum deri në 20 përqind, kufizohet numri i pasagjerëve nëpër taxi, kufizohet. puna e qendrave tregtare dhe gastronomisë deri në orën 20:00, pas orës 20:00 vetëm merre-me-vete.

Komuna me rrezik të mesëm – Nga ora 05:00-18:00 punojnë operatorët ekonomik, gastronomia pas orës 18:00 vetëm merre me vete. Në këto komuna institucionet publike dhe private punojnë vetëm me stafin esencial, deri në orën 18:00 qendrat tregtare, kufizohet puna e aktiviteteve sportive dhe kulturore.

Komuna me rrezik të lartë – Kemi ndërmarrë dy veprime, lejojmë aktivitetin ekonomik të zhvillohet deri në orën 19:00, nga ora 19:00 mbyllet çdo gjë, çdo aktivitet ekonomik dhe vendoset kufizim i plotë në këto komuna, ndalohet hyrje-daljet në këto komuna nga ora 19:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit.