Kështu e arsyeton Specialja sjelljen e Thaçit, e Krasniqit me pranga nga burgu deri në gjykatë

LAJME

Ish-shefi politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi janë ankuar dje në paraqitjet e tyre të para para Gjykatës Speciale për trajtimin e keq që thanë se po ua bën institucioni që u themelua me votat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.


Për trajtimin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, avokati i tij, David Hooper shprehu keqardhje dhe u ankua në seancën gjyqësore. Ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi, që bashkë me Thaçin po akuzohet për një sërë krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit, po ashtu u ankua se asnjëherë në jetë s’e ka trajtuar askënd aq keq siç tha se është trajtuar dje nga paraburgimi deri në sallën e gjyqit.

Në një përgjigje për Gazetën Express, Gjykata Speciale e ka arsyetuar sjelljen pjesëtarëve të sigurisë së këtij institucioni me dy ish-krerët e UÇK-së, duke thënë se ndjekin standartet më të larta ndërkombëtare për trajtimin e të paraburgosurve.

“Dhomat e Specializuara zbatojnë dhe mbështeten në standardet më të larta ndërkombëtare në institucionin e paraburgimit, si dhe gjatë transportit nga institucioni i paraburgimit në sallën e gjyqit dhe anasjelltas. Një varg masash mbrojtëse janë vendosur për këtë qëllim, përfshirë mbikëqyrjen e brendshme dhe të jashtme nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC) dhe Avokati i Popullit i Dhomave të Sepcializuara. Për më tepër, në çdo kohë mbrojtësi i një të akuzuari ka të drejtë të paraqesë parashtrime për t’u ankuar në lidhje me arrestimin ose ndalimin”, thuhet në përgjigjen e Dhomave të Specializuara.

Krasniqi, që u paraqit i pari para Speciales nga katër ish-krerët e UÇK-së që u përfshin në një aktakuzë të përbashkët, u shpreh i mllefosur me trajtimin që iu bë. Ai tha se nuk e ka trajtuar asnjëherë askënd në atë mënyrë.

“Unë dua të deklaroj sot se kurrë në jetën time, në asnjë rast të vetëm nuk i kam trajtuar njerëzit as kaq sa e si më trajtuat mua nga ndërtesa e burgut, deri në këtë ndërtesë. E theksoj, kurrë në jetën time s’kam trajtuar njerëz në këtë mënyrë”, deklaroi Krasniqi.

Ndërsa David Hooper, avokat i ish-presidentit Hashim Thaçi u shpreh i shqetësuar për reputacionin e klientit të tij, ndërsa e vlerësoi të turpshëm transferimin e Thaçit me pranga në duar nga objekti i paraburgimit deri në sallën e gjyqit.

“Shpresoj që me kalimin e kohës reputacioni i këtij personi të vihet në vend. Ishte për të ardhur turp që e pashë me pranga”, tha avokati Hooper.

Por, nga Gjykata Speciale thonë se përdorimi i prangave është praktikë standarde në gjykatat e tilla.

“Siç u shpjegua nga Gjykatësi dhe Regjistruesi në Paraqitjen Fillestare të Z. Thaçi dje, procedura normale për shoqërimin e të gjithë personave të ndaluar nga institucioni i paraburgimit në sallën e gjyqit përfshin përdorimin e prangave. Kjo është praktikë standarde në gjykatat që merren me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe synon të sigurojë një mjedis të sigurt. Prangat hiqen para hyrjes së personit të ndaluar në sallën e gjyqit”, ka thënë për Express, zëdhënësja e Speciales, Angela Griep.

Gjatë paraqitjes së parë të Thaçit, administratorja e Dhomave tё Specializuara, Fidelma Donlon tha se parashihet që të akuzuarit të shoqërohen me pranga deri në futjen e sallës së gjyqit, pavarësisht se kush është personi që akuzohet.

Paraprakisht, gjykatësi Nicolas Guillou i tha avokatit të Thaçit se “nuk ka trajtim të posaçëm për klientin tuaj”.