Ish-presidenti nesër paraqitet para Gjykatës Speciale, Thaçi mund të mbrohet në liri

LAJME

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili më 5 nëntor dha dorëheqje dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, të hënën, më 9 nëntor në orën 15:00, do të mbahet paraqitet për herë të parë në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë.


Portali Arbresh.info shkruan se ish-presidenti, disa vite kryeministër i Kosovës, themelues i Partisë Demokratike të Kosovës, ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, dhe ish-shef i Drejtorisë Politike dhe asaj të Informimit të UÇK-së, gjatë gjithë karrierës ka treguar gatishmëri për të bashkërenduar secilin veprim të Kosovës me institucionet ndërkombëtare dhe liderë të shteteve të fuqishme që mbështesin pavarësinë e Kosovës, dhe Gjykata Speciale do të ketë parasysh angazhimet e tij, me arsyetimin se nuk ekziston rreziku arratisjes apo përsëritjes së veprave për të cilat akuzohet.

 

Arbresh.info shkruan se Dhomat e Specializuara pritet të vendosin në ditët në vijim, që procedura penale ndaj Hashim Thaçit të zhvillohet përmes video telekonferencës.

“Dhomat e Specializuara pritet të urdhërojnë masën dorëzani me lirim në Kosovë, që procedurën ta vijojë përmes video telekonferencës”, bëjnë të ditur burime të paemërtuara.

Aktakuza kundër Hashim Thaçit u konfirmua më 26 tetor 2020.

Më 5 nëntor, ai tha se ka marrë njoftimin për ngritjen e aktakuzës, duke e paraqitur edhe dorëheqjen si president i vendit.

“Ndihem shumë krenar me përgjegjësitë që kam bartur në këto tre dekada në pozita, kapacitete dhe përgjegjësi të ndryshme institucionale të besuara nga vullneti i votës së lirë i qytetarëve të Kosovës”, është shprehur Thaçi gjatë adresimit, ku bëri të ditur dorëheqjen.

Ai u arrestua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 5 nëntor dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë në të njëjtën ditë.

Aktakuza e ngarkon Hashim Thaçit me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit sipas të drejtës ndërkombëtare, për forma të ndryshme të përgjegjësisë penale.

Paraqitja e parë e Hashim Thaçit do të mbahet në seancë publike. Gjatë paraqitjes së parë, gjykatësi i procedurës paraprake siguron që të respektohen të drejtat e të akuzuarit, ndër të cilat e drejta për përfaqësim ligjor dhe që i akuzuari të kuptojë akuzat kundër tij.

Gjatë shqyrtimit fillestar, gjyqtari i procedurës paraprake e lexon aktakuzën, bindet se të drejtat e të akuzuarit janë respektuar, konfirmon se i akuzuari e kupton aktakuzën dhe e udhëzon të akuzuarin që të bëjë marrëveshje për pranimin e fajësisë.

Gjyqtari i procedurës paraprake siguron që materiali në mbështetje të aktakuzës i është dhënë apo i jepet të akuzuarit në gjuhën që i akuzuari e kupton.