IKSHPK paralajmëron rritje të testimit për koronavirus

LAJME

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik bën të ditur se numri total i rasteve pozitive është 20.999 raste nga 98.769 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 705 raste të vdekjes.


IKSHPK njofton se numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 15.722 raste, kurse numri i rasteve aktive është 4.562.

 

Rritja e numrit të rasteve pozitive me COVID-19 tashmë e ka ndryshuar situatën epidemiologjike në Kosovë. Në Institutin Kombëtarë të Shëndetit Publik vlerësojnë se situata është përkeqësuar ndërsa paralajmërojnë shtimin e kapaciteteve të testimit.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik vlerëson se situata epidemiologjike në Kosovë është rënduar ndërsa vazhdon intensivisht me testim dhe gjurmim të kontakteve të pacientëve pozitiv. Mirëpo sipas drejtorit Naser Ramadani janë rritur kapacitetet testuese.

“Do të bëjmë akoma zgjerimin e kapaciteteve testuese. Ne po e presim edhe aparaturën nga Banka Botërore të hulumtimit sero epidemiologjik. Ne pos situatës aktuale të testimit dhe gjurmimit të rasteve në terren do të tentojmë ta matim edhe imunitetin kolektiv në Kosovë dhe të shohim sa është e mbuluar popullata kosovare me imunitetin e përgjithshëm”, deklaroi Naser Ramadani.

Se janë rritur kapacitetet e thotë edhe mikrobiologia, Donjeta Pllana.

‘’Edhe me aparatura qëndrojmë më mirë se herën e parë. Kemi marrë aparaturë shtesë që e ndihmojnë pjesën e parë të punës dhe organizohemi në mënyrë shumë më të mirë”, deklaroi Donjeta Pllana.