Hoti i kundërpërgjigjet Haradinajt e Osmanit: E kanë gabim, dialogu me Serbinë nuk duhet të ndalet

LAJME

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti i ka dalë kundër partnerit të tij qeverisë, Ramush Haradinaj dhe ushtrueses së detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, të cilët po kërkojnë ndërprerjen e dialogut me Serbinë pas zhvillimeve të fundit nga Specialja.


Hoti thotë se zhvillimet që lidhen me Dhomat e Specializuar duhet të lihen anash dhe të mos lidhen me proceset e tjera.

“Zhvillimet që lidhen me Dhomat e Specializuar duhet t’i lëmë anash, në kuptimin që të mos i lidhim me këto proceset e tjera. Është një proces tjetër që po ndodh me këto Dhoma të Specializuar. Fatkeqësisht, figura të larta dhe shtetërore dhe politike janë të përfshira në atë proces, por qeveria po funksion dhe zotimet shtetërore që i kemi, jemi duke i dalë zot. Kushdo që ka një qëndrim të tillë që duhet të ndalet procesi i dialogut, e ka shumë gabim. Nuk duhet të përdoret asnjëherë dialogu për qëllime të ngushta, siç po veprojnë disa. Procesi i dialogut dhe pjesëmarrja e Kosovës në dialog në Bruksel, nuk bëhet për interesa të Serbisë, por bëhet për interesa të Kosovës, të fuqizimit të shtetësisë së Kosovës”, ka thënë Hoti për REL.

Ai thotë se janë dy zgjidhje për të ecur përpara.

“Ose mund ta mbajmë vendin e izoluar edhe të ankohemi në Prishtinë me deklarata për shtyp, në konferenca për shtyp, ose shkojmë në Bruksel dhe ulemi në tavolinë të dialogut dhe mbrojmë interesat shtetërore të Kosovës. Unë kam zgjedhur këtë të dytën. Ata politikanë që e kanë zgjedhur këtë të parën, për një kohë ju e dini se ku e kanë çuar vendin. Deri më tash dhe ne na është dashur punë shumë e madhe, vendime shumë të vështira jopopuliste, për të treguar që ne jemi një qeveri kredibile, që i dalim zot vendit, e hapur, pro-evropiane, që dimë se si të mbrojmë interesat shtetërore të Kosovës dhe nuk kemi asnjë hezitim që të ulemi në tavolinë të dialogut sepse parimet i kemi të qarta dhe dimë se pse po shkojmë në atë tavolinë të bisedimeve”, ka pohuar Hoti.