Gjermania thotë se ua lë në dorë Kosovës dhe Serbisë marrëveshjen finale: E mbështet cilado që të jetë

LAJME

Gjermania është e gatshme që t’ua lë në dorë Kosovës dhe Serbisë arritjen e një marrëveshje finale, dhe ky shtet do ta mbështet cilado që të jetë ajo. Kështu, të paktën po pretendojnë nga Qeveria Serbe.


Ministri serb i Shëndetësisë, Zlatibor Loncar ka zhvilluar dje një takim me ambasadorin gjerman në Serbi, Thomas Schielb me të cilin kanë diskutuar edhe për Kosovën.

Loncar para mediave ka bërë të ditur se ambasadori Schielb i tha se shteti që e përfaqëson do t’ia linte Kosovës dhe Serbisë mundësinë për ta arritur një marrëveshje finale.

Gjermania madje, do ta mbështet një të tillë çfarëdo që të përmbajë ajo, përcjell Gazeta Metro.

“Ambasadori tha se Gjermania do t’ia linte Beogradit dhe Prishtinës mundësinë për të arritur marrëveshjen, dhe se ata e mbështesin çdo marrëveshje”, ka thënë ai.

Loncar tutje tha se e falenderoi Gjermaninë, pasi nga kjo kuptohet se Serbia vendos vetë për fatin e saj, dhe i marrin vendimet e tyre, raporton Gazeta Metro.

Kujtojmë se dialogu Kosovë-Serbi ka rifilluar në muajin shtator të këtij viti, pas plot dy vitesh.

Palët u takuan fillimisht në SHBA, ku nën ndërmjetësimin e presidentit amerikan, Donald Trump nënshkruan marrëveshje ekonomike, e cila mes tjerash i mundësoi Kosovës njohjen nga Izraeli.

Menjëherë pas takimit në SHBA, delegacionet e dy shteteve zhvilluan bisedime të tjera edhe në Bruksel, nën ndërmjetësimin e emisarit europian Mirsolav Lajcak.