Diplomati që e quajti Kurtin ‘palaço’ pritet të jetë nënsekretar i shtetit amerikan

LAJME

Me shpalljen e fituesit të zgjedhjeve në SHBA, është përflitur se ushtruesi i detyrës së Ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit për Europën dhe Euro-Azinë, Philip Reeker, pritet që të jetë nënsekretar i shtetit amerikan për Evropë, gjatë mandatit të Joe Biden.


I njëjti përgjatë kohës sa shërbente si ndihmës Sekretar i Shtetit Amerikan, e kishte quajtur ‘palaço’ liderin e LVV’së në vazhdën e sjelljeve të Vetëvendosjes përgjatë kohës sa subjekti politik ishte në opozitë.

“Nuk kam agjendë personale. Unë jam diplomat. E përfaqësoj Sekretarin dhe Presidentin. Ambasadorja Jacobson është përfaqësuesja personale e Presidentit të SHBA’së në Republikën e Kosovës. Palaçot që duan të luajnë dhe që të jenë të dhunshëm, duhet të mendojnë dy herë se çfarë po i bëjnë pjesës tjetër të vendit”, ishte shprehur Reeker.

Reeker e kishte qortuar Lëvizjen “Vetëvendosje” pse po i kundërvihej proceseve politike që mbështeteshin nga administrata amerikane.

Ai gjithashtu kishte theksuar asokohe se kushdo që u kundërvihet këtyre proceseve të shtete-ndërtimit, i kundërvihet edhe politikës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kundër kësaj, lideri i LVV’së, kishte reaguar duke thënë se Reeker ka përdorur një gjuhë të padenjë për funksionin që mbante.

“U bënë më shumë se tetë vjet që ne ekzistojmë dhe zyrtarë të ndryshëm na kanë quajtur me shumë emra. Por, gjuha e Reekerit është një gjuhë e padenjë për një funksionar të tillë. Unë nuk mund të nënshtrohem kundrejt kurrfarë zyrtari amerikan. Sot është zhvilluar një trysni e jashtëzakonshme në Kosovë për Ligjin e amnistisë që fal të gjitha krimet serbe në Kosovë dhe kjo gjuhë është jo demokratike”, deklraonte Kurti.

“Ne themi të vërtetën tonë. Kosovën e kanë shndërruar në cirk dhe nëse është dikush që është palaço, këta nuk janë Vetëvendosje. Ne nuk jemi kundër SHBA-ve. Ne vetëm themi të vërtetën. Ne nuk mund të nënshtrohemi që t’i pëlqejmë dikujt edhe pse flitet me një gjuhë që s’është e denjë për një funksionar të tillë. Amerika ka bërë shumë për ne, sidomos presidenti Bush, por mos të harrojmë se gjërat kryesore i kemi me arritjet tona. Ka patur 2500 të vdekur nga UÇK. Unë nuk jam kundër SHBA-ve, por jo me mungesë të vetërespektit. Nëse e bëjmë këtë atëherë nuk do të mund të kemi as respektin e as dashurinë e Amerikës”, shtonte tutje ai.

Ndryshe, Demokrati Joe Biden është zgjedhur presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës pas një garë të ashpër me republikanin, Donald Trump, i cili synonte të merrte edhe një mandate të dytë si njeriu i parë i Amerikës.

Biden në gjithë procesin e numërimit të votave ka qenë duke prirë, derisa vendimtare ka qenë përmbysja që i ka bërë në Trumpit në shtetin e Pensilvanisë.

Tashmë Biden ka mbi 270 vota elektorale, të cilat ia mundësojnë hyrjen në Shtëpinë e Bardhë si i pari i Amerikës.

Përgjatë historisë, Joe Biden, njihet për afërsinë dhe miqësinë shumë të ngushtë me shqiptarët, sidomos me Kosovën.

Përgjatë viteve të 90-ta, ai ka qenë avokues i madh i lirisë së Kosovës dhe kishte kërkuar me ngul që SHBA të bombardonte Serbinë.