Detaje të reja nga skandali 1 milionësh ku u përfshinë Jeta Xharra e Haki Abazi

LAJME

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës sot është mbajtur seanca gjyqësore kundër Jeta Xharrës dhe Dajana Berishës pas padisë që është ushtruar ndaj tyre nga Astrit Istrefi, Burim Ejupi e Visar Azemi lidhur me një kontest që ndërlidhet Fondacionin “Shtëpia e Shoqërisë Civile SHC”, OJQ që e kishin bashkëthemeluar.

Gazeta Insajderi ka siguruar dokumentin e plotë të padisë (mund ta lexoni këtu) që i është bërë Xharrës dhe Berishës nga paditësit e lartëcekur ku në të ndër të tjera thuhet se në padinë e Istrefit, Ejupit dhe Azemit, pas themelimit të Organizatës më 29 maj të vitit 2017, kishin dorëzuar në mënyrë të shkruar edhe Aktin e Themelimit ku kishin përcaktuar: themeluesit e fondacionit, bordin e drejtorëve, dhe përfaqësuesin e autorizuar të fondacionit.

Istrefi, Ejupi dhe Azemi, siç tregojnë detajet e rastit në padinë e tyre, në mes të datave 11 deri më 20 gusht të vitit 2019, në cilësinë e anëtarëve të bordit kishin dërguar shkresa zyrtare tek anëtarët e tjerë të bordit për të mbajtur mbledhjen e rregullt të Bordit të Fondacionit, megjithatë thonë se nga Jeta Xharra dhe Dajana Berisha nuk kanë marrë kurrfarë përgjigje.

Në seancën e sotme ka marrë pjesë edhe ish-zëvendëskryeministri i Qeverisë Kurti, Haki Abazi i cili përmendet në dosjen e padisë si drejtues i Fondacionit Rockerfeller Brothers Fund për Ballkanin Perëndimor.