Deliu bën thirrje për unitet politik pas situatës së re: Të gjejmë gjuhën e përbashkët

LAJME

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu ka thënë se Thaçi e Veseli kanë treguar shembull, megjithëse po përballen me një padrejtësi të madhe si kjo e Hagës.


Blerta Deliu ka bërë thirrje që përfaqësuesit dhe krerët e shtetit në Kosovë të gjejnë kurajon dh eta menaxhojnë situatën e re të krijuar në vend.

 

“Na mbetet ne, përfaqësuesëve dhe drejtuesëve të popullit të gjejmë kurajon e tyre dhe në frymën e tyre ta menaxhojmë këtë situatë duke kërkuar interesin kombëtar dhe jo ushqyer ambiciet vetanake e partiake duke shfrytëzuar krizat si mundësi katapultimi”, ka shkruar ndër të tjerash Deliu në Facebook.

 

Ky është shkrimi i plotë:

Presidenti, Kryetari dhe gjithë të tjerët që udhëtuan për t’iu përgjigjur gjykimit në Hagë dhanë shembullin e tyre. Pavarësisht kësaj padrejtësie të madhe, ata ftuan të mos demonizohet procesi e as Gjykata Speciale, por të pranohet si një mundësi për t’iu përgjigjur dyshimeve dhe thashethemeve të rreme që kanë qarkulluar ndër vite. Edhe brenda kësaj padrejtësie të madhe, ata gjetën kurajon të frymëzojnë qetësi e urtësi dhe në vend të mllefit të reflektojnë maturi.

Na mbetet ne, përfaqësuesëve dhe drejtuesëve të popullit të gjejmë kurajon e tyre dhe në frymën e tyre ta menaxhojmë këtë situatë duke kërkuar interesin kombëtar dhe jo ushqyer ambiciet vetanake e partiake duke shfrytëzuar krizat si mundësi katapultimi.

Padyshim ditët në vazhdim nuk do të jenë të lehta, kurse provokimet do të jenë arma kryesore e atyre që dëshirojnë të nxisin tensione për interesa të veta dhe të tjerëve. Por, ato interesa janë të identifikuara tashmë dhe kushdo që bëhet pjesë e tyre u dihet qëllimi.

Duhet të veprojmë sa më shpejt për ta gjetur një gjuhë të përbashkët, për ta krijuar unitetin politik e shoqëror, në mënyrë që ta përballojmë këtë situatë me qetësinë dhe maturinë e frymëzuar nga Presidenti, Kryetari dhe gjithë ata që udhëtuan në Hagë për të mbrojtur të drejtën tonë historike për liri.

 

Për këtë Liri që të gjithë ia dimë emrin.