Britaniku që dënoi Sheshelin, avokat mbrojtës i Kadri Veselit në Hagë

LAJME

Ish-eprori i UÇK-së, Kadri Veseli, pritet të mbrohet në Hagë nga avokati britanik, Ben Emmerson, i cili ishte pjesë e Trupit Gjykues që dy vjet më parë dënoi për krime lufte politikanin serb, Vjosllav Sheshel.

Veseli ka bërë të ditur sot se i është konfirmuar aktakuza e ngritur ndaj tij nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Ka njoftuar se sot do të udhëtojë për në Hagë.

 

Avokati, i cili pritet ta mbrojë ish-udhëheqësin e shërbimit të inteligjencës së UÇK-së, kishte qenë më parë edhe avokat i Ramush Haradinajt. Gjatë ballafaqimeve të ish-kryeministrit Haradinaj në Hagë, Emmerson e kishte mbrojtur dy herë me sukses kreun e AAK-së.

 

Po ashtu, Emmerson ka qenë anëtar i Trupit Gjykues, i cili e dënoi me 10 vjet burgim Vojsllav Sheshelin, kriminelin serb të luftës.

Gjykatësit me 11 prill të vitit 2018 dënuan Vojisllav Sheshelin me 10 vjet heqje lirie – sipas akuzave për përndjekje, deportim dhe vepra të tjera johumane, si pjesë e krimeve kundër njerëzimit, të kryera në vendin Hrtkovci në Vojvodinë. Por edhe në këtë proces gjykatësit e liruan atë ndaj akuzave për krime në B-H dhe Kroaci.

Kadri Veseli, përmes një deklarate për media të enjten, ka thënë se është përgatitur vullnetarisht që të niset drejt Hagës.

Për këtë, deputeti Veseli tha se do të tërhiqet nga të gjtitha aktivitetet publike e politike për sa kohë zgjatë ky proces.

“Kjo gjë do të kërkojë angazhimin dhe përqëndrimin tim të plotë, dhe prandaj kam vendosur që të tërhiqem nga të gjtitha aktivitetet publike e politike për sa kohë zgjatë ky proces. Të paktën për momentin, jam një qytetar privat”, ka deklaruar ai.

 

Kadri Veseli ka shërbyer për së paku pesë vjet si kryetar i Parlamentit të Kosovës përgjatë dy legjislaturave.