BE’ja godet Haradinajn e Osmanin në lidhje me dialogun me Serbinë

LAJME

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani dhe kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj kanë deklaruar se dialogu me Serbinë duhet të ndalet dhe mos të zhvillohet më pas situatës së fundit lidhur me Gjykatën Speciale, mirëpo një përgjigje kanë marrë ata sot nga Bashkimi Evropian.


Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka alternativë dhe Prishtina dhe Beogradi duhet të jenë të gatshme për vazhdimin e tij dhe arritjen e kompromisit, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi për Çështje të Jashtme i Bashkimit Evropian, Peter Stano,

 

“Ne jemi të bindur se, për të përmbushur aspiratat e qytetarëve të Kosovës për të ardhme evropiane, Kosova duhet ta kuptojë dhe pranojë se nuk ka alternativë përveç dialogut”, tha Stano.

Sipas tij, “BE-ja vlerëson vizionin e qartë të kryeministrit, Avdullah Hoti, për këtë dhe gatishmërinë e tij për të bërë zgjedhjen e vështirë, duke dëshmuar konsistencë dhe pjekuri, posaçërisht në këto kohë sfiduese”.

Ndryshe, edhe kryeministri Hoti ka deklaruar se nuk ka arsye përse të ndalohet dialogu mes Kosovës dhe Serbisë pas zhvillimeve të fundit në vend.

Kujtojmë se gjatë këtij viti dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka rifilluar në Bruksel, mirëpo palët nuk kanë arritur ndonjë përafrim.

Serbia kërkon formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ndërsa Kosova insiston në një marrëveshje të përgjithshme, në të cilën do të përfshihej edhe njohja e ndërsjellë.