Analisti nga SHBA i thotë Kurtit: Pse ti nuk reagon për çdo luftëtar të UÇK’së si për Rexhep Selimin

LAJME

Shqiptaroamerikani Uk Lushi ka reaguar pas lajmit se Rexhep Selimit i është dorëzuar aktakuza nga Gjykata Speciale.

Lushi ka thënë se pse Albin Kurti nuk ka reaguar edhe për aktakuzat ndaj ish-anëtarëve të tjerë të UÇK’së, sikurse për anëtarin e partisë së tij.

 

“Pse ti Albin Kurti reagon vetëm për ngritje aktakuze nga Specialja për bashkëpartiakun Rexhep Selimi?! Pse ti Albin Kurti nuk reagon për çdo luftëtar të UÇK-së si për Rexhep Selimin?! A do të reagosh dhe angazhohesh për çdo luftëtar të UÇK-së apo vetëm kënd e veçon dhe selekton ti?! Për ne ushtarët e lirisë si Rexhep Selimi, si Jakup Krasniqi, si çdo luftëtar tjetër ishin dhe janë UÇK. Ne ushtarët e UÇK-së parti mbi partitë kemi pasë, kemi dhe do ta kemi lirinë e Kosovës.”, ka shkruar ai në Facebook.

 

“Albin, ushtria dhe ushtarët jemi të krejt kombit. Nuk ndahen ushtarët, o Albin! Shumë e ulët sjellja jote! Po më kujtohet këto çaste kur më tregoje para disa vitesh se kishe biseda me Bacën Jakup Krasniqi dhe mbase ai do të kalonte në VV. A vetëm nëse ai do të kishte kaluar në VV do të kishe reaguar?! Albin, pavarësisht në cilën parti janë ish-ushtarët e UÇK-së sot; dje, sot dhe nesër, ne ish-luftëtarët, të gjithë ishim vetëm në një USHTRI– USHTRINË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS! Edhe ushtarët që s’jemi në VV jemi UÇK! Edhe shqiptarët që s’jemi në VV jemi shqiptarë!”, shtoi ai.