Albin Kurti e mposht virusin

LAJME

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i cili ka ditë që është infektuar me coronavirus, është lajmëruar dhe ka treguar për gjendjen e tij shëndetësore.


Kurti nëpërmjet një postimi në Facebook ka thënë se po ndjehet më mirë se dhe se sot është paditja e parë pa simptoma.

“Pasditja e parë pa simptoma. Do ta vazhdoj vetizolimin edhe disa ditë, sipas rekomandimeve të ekspertëve të shëndetit publik. Ju faleminderit të gjithëve që më keni thirrur ose shkruar, që keni pyetur ose jeni brengosur për mua. U jam mirënjohës për kujdesin e mbështetjen dhe u kërkoj falje për pamundësinë që t’u përgjigjem të gjithëve veçmas”, ka shkruar ai.

Kurti ka treguar se si i ka kaluar ditët në izolim dhe çfarë simptoma ka pasur gjatë këtyre ditëve.

“Analizat e gjakut më dolën normale. Duket që u nxora nga COVID-19 pa pneumoni. Diciplina është vendimtare. Kam marrë rregullisht ilaçet, kam respektuar udhëzimet dhe këshillat e mjekëve. Kam ajrosur banesën dy herë në ditë nga 10 minuta duke hapur dritaret gjithandej. Kam pirë lëngje e kam marrë vitamina. Çdo tre orë kam matur temperaturën dhe saturimin si dhe kam praktikuar frymëmarrjen e thellë. Nuk kam më kokëdhembje, kollitje dhe as therrje në muskuj”, ka thënë ai
Ai ka bërë thirrje për kujdes.

“Nëse nuk e keni kaluar COVID-in, keni kujdes, sepse nuk është sikur gripi i zakonshëm. Të gjithë juve qytetarë që jeni të sëmurë nga virusi e ndjeheni të pasigurt, apo juve punëtorë shëndetësor që jeni të dërrmuar nga trajtimi i të sëmurëve, u jam mirënjohës sa s’thuhet për qëndresën, angazhimin e kontributin dhe ju inkurajoj të mos dorëzohemi tash. Nuk e kemi ende vaksinën, por e kemi përvojën që na shërben dhe vullnetin me të cilin shërbejmë”, tha ai.