​Reçica: Punëtorët e viteve të ’90-ta po diskriminohen, ndryshimi i ligjit i pamundur

LAJME

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, deklaroi se punëtorët e viteve të ’90-ta po diskriminohen me ligjet e Kosovës të cilëve nuk po iu njihet stazhi i punës.

Por, ndryshimi i ligjit që kërkon 15 vite përvojë të punës thotë se është i pamundur në këtë kohë për shkak të implikimeve financiare.

Këto komente ai i bërë në Komisionin për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike ku është bërë shqyrtimi i kërkesave të Sindikatës së nëpunësve shtetëror të Kosovës të viteve të ‘90-ta dhe i Sindikatës së ish-policëve të viteve të ‘90-ta.

 

 

Ai në komision, tha se po bëjnë përpjekje që në korrikun e vitit të ardhshëm të vazhdohet me plotësim-ndryshimin e ligjit dhe t’iu mundësohet pensionistëve të asaj kohe të marrin pensione të dinjitetshme.

“Ata të cilët janë larguar me dhunë nga puna në vitet ‘90-‘99 nga regjimi i asaj kohe dhe në vend që të shpërblehen për atë sakrificë të tyre duke mos e pranuar regjimin e asaj kohe ata sot ndëshkohen me ligjet e Republikës së Kosovës dhe të tjerët të cilët në atë kohë i kanë pranuar ato masa marrin pensione të dinjitetshme. Unë kam filluar procedurën e plotësim-ndryshimit të ligjit, ku kam paraparë që neni i cili precizon qartë që pensionistët duhet të kenë 15 vite përvojë pune të hiqet dhe propozimi tjetër është që të gjithë atyre që u larguan dhunshëm nga puna në vitet ‘90-‘99 t’iu njihet stazhi për atë periudhën sa ka qenë largimi i tyre… Edhe kjo çështje është duke ngecur, jo nga vullneti, jo nga puna, por me të panjohurat me pandeminë. Kjo ka kosto, vetëm kjo dispozitë nëse ndërrohet në bazë të statistikave dhe hulumtimeve që ne kemi ,e ka një kosto që për buxhetin aktualisht është e papërballueshme”, tha ai.

Në këtë mbledhje të komisionit është miratuar në parim plotësim-ndryshimi i Projektligjit për Këshillin Ekonomiko-Social, për të cilin ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, tha se ka një stërzgjatje të madhe.

“Është pjesë edhe e agjendës evropiane, madje është e konstatuar edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian. Është fakt që është një stërzgjatje bukur e mirë e plotësim-ndryshimit të këtij ligji dhe unë e konsideroj se tash jemi në kohën kur ne nuk do të krijojmë mundësi që edhe më tutje të vonohemi me miratimin e këtij projektligji. Dialogu social është një proces demokratik i informimit të konsultimeve dhe negociatave të përfaqësuesve të Qeverisë me përfaqësuesit e punëdhënësve, përfaqësuesit e punëmarrësve mbi çështjet më interes të përbashkët të politikës së punësimit, politikës ekonomike dhe asaj sociale në vend. Objekti kryesor i këtij projektligji është qasja gjithëpërfshirëse e partnerëve socialë në Këshillin Ekonomik-Social”, tha ai.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj ka pyetur se a ka pasur debate lidhur me këto plotësim-ndryshime dhe ka pyetur rreth heqjes së mëditjeve, për çka tha se rrezikon që të ulet efikasiteti i punëtorëve.

Ministri Reçica tha se nuk dëshiron të besojë se heqja e mëditjeve do të ndikojë në efikasitetin e asnjë punëtori në Këshillin Ekonomiko-Social.

“Kemi kërkuar që të hiqet nga ligji kompensimi i ministrit për me marrë pjesë në një komision të Këshillit Ekonomiko-Social apo i një zyrtari që nga detyra zyrtare duhet ta përfaqësojë institucionin, përkatësisht departamentin në këtë mekanizëm. Nuk dua të besoj që do të ndikojë në efikasitetin e tyre”, tha ai.

Po ashtu, në këtë komision është bërë edhe miratimi në parim i Projektligjit për Inspektoratin e punës, për të cilin ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, tha se është gardian i të drejtave të punëtorëve.

“Unë e di që nuk e kemi situatën prej më së miri as në sigurinë në vendin e punës, ne kemi pasur hiç më larg se mbrëmë një rast me fatalitet që unë dua të shpreh keqardhjen time edhe për familjen, edhe për të gjithë vendin, sepse bëhet fjalë për humbjen e një jete të një njeriu. Ky ligj është gardian i të drejtave të punëtorëve, përmes këtij ligji fuqizohet një institucion i cili ka përgjegjësi për të monitoruar zbatimin e ligjit të punës”, tha ai.

Deputeti i PDK-së Ferat Shala, ka pasur vërejtje sa i përket nivelit të dytë të ankesave në kuadër të Inspektoratit të Punës.

“Ajo çka është më shqetësuesja në këtë draftligj është çështja e nivelit të dytë të ankesave ku parashihet çështja e zgjidhjes me vendime politike apo me anë të një procedure të thjeshtë të një komisioni tre anëtarësh. Çështjet janë shumë të ndërlikuara dhe nuk do të duhej Inspektorati i Punës çështjen e nivelit të dytë ta zgjidhte me vendime, qoftë politike, qoftë grupe të caktuara ad-hoc ku dihet edhe numri i lëndëve, shkalla e seriozitetit, implikimet financiare, implikimet e sigurisë në punë dhe të gjitha këto mbesin pastaj të një shkallë e dytë që është jashtëzakonisht e brishtë kështu siç e keni parashtruar, lenë hapësirë për dualizëm, për interferime edhe politike e për më keq edhe interferime korruptive”, tha ai.

Ndërsa, deputetja e LVV-së Mimoza Kusari Lila, tha se nuk ka kuptim që të trajtohet Ligji për Inspektoratin e Punës kur nuk është edhe Ligji i Punës.

Fare nuk ka kuptim që të trajtohet Ligji për Inspektoratin e Punës kur nuk është Ligji i Punës, është si të trajtojmë diçka që buron po burimin nuk e kemi përcaktuar saktë. Do të thotë ju i keni dy ligje që i përmendët, Ligjin për Pushimin e Lehonisë të cilin unë personalisht si grua dhe si nënë jam kundër për faktin se i keni trajtuar në një kategori të veçantë gratë në trajtimin e lehonisë e jo në kuadër të Ligjit të Punës si gra të punësuara”, tha ajo.

Deputetes i është përgjigjur ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, i cili tha se nxjerrjen e Ligjit të Lehonisë nga Ligji i Punës e kanë bërë me qëllim që të shtrihet dora e shtetit edhe tek ato gra që nuk punojnë.

“Jemi çu i madh e i vogël dhe po duam t’i diskriminojmë një numër shumë të madh të grave, motrave dhe nënave të këtij vendi. E kemi nxjerrë Ligjin e Pushimit të Lehonisë nga Ligji i Punës me vetëdije dhe kemi nxjerrë me një qëllim, sepse po duam ta ndjejnë dorën e shtetit edhe ato gra të cilat nuk janë në punë”, tha ai.