​Kërkohet tejkalimi i dallimeve politike për hir të integrimit në BE

LAJME

Integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian është parimi bazë mbi të cilin duhet të punojnë të zgjedhurit e popullit, ndërsa plani kombëtar për zbatimin e MSA-së është puna urgjente e Komisionit për Stabilizim Asociim BE-Kosovë. Kështu u tha me rastin e konstituimit të këtij komisioni, paraditen e së martës.Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani tha se pesha e këtij komisioni është shumë e madhe, pasi që siç tha ajo është e domosdoshme që të tejkalohen dallimet politike dhe të ketë përafrim të plotë me politikat e BE-së.Ajo foli edhe për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, për çka tha se Kosova merr përsipër një mori obligimesh për reforma në drejtim të vendosjes së një ekonomie funksionale të tregut.

“Është marrëveshje që synon të rregullojë raportet Kosovë-BE që nga dita e nënshkrimit deri në ditën e anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian, synon të mbështesë tranzicionin ekonomik të Kosovës si dhe të forcojë integrimin e saj në tregun e Bashkimit Evropian […] Pesha e këtij komisioni është shumë e madhe dhe ndërlidhet drejtpërsëdrejti me suksesin në rrugëtimin e vendit tonë drejt Bashkimit Evropian, dhe ky do të duhej të ishte parimi bazë mbi të cilin punojmë të gjithë së bashku”, tha ajo.
Kryetari i këtij komisioni, Arben Gashi, bëri të ditur planet afatshkurtra të këtij komisioni, teksa shtoi se deri javën tjetër duhet të shihet se çka mund të bëjnë si komision lidhur me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.“Ajo çka na pret neve më urgjente është plani kombëtar për zbatimin e MSA-së, i cili ka ardhur nga Qeveria e Kosovës. Ka qenë dje në rend të ditës në Kuvendin e Republikës të Kosovës, është shqyrtuar paraprakisht në Komisionin për Integrime Evropiane meqenëse ky komision nuk ka qenë i konstituuar. Unë ju kisha lutur që si kolegë ta lexoni dhe ta shqyrtoni deri javën e ardhshme dhe të shohim se çka mundemi të rekomandojmë ne si komision”, tha Shala.

Ndërsa deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj kërkoi që rekomandimet në interes të Kosovës që duhet të kalojnë në Këshillin Evropian të kenë edhe mbështetjen e vendeve aleate, përmes komunikimit me anëtarët e Komisionit nga ana e Parlamentit Evropian.“Çfarë po dua të them është që lista e këtyre miqve evropianë mund të jetë funksionale dhe në shërbim të Kosovës nëse ne që tash shohim se cilat janë rekomandimet dhe se çka mund të miratohet”, u shpreh ai.Komisioni i përbashkët Parlamentar për Stabilizim Asocim BE – Kosovë që u konstituua sot me përbërje të re, në të kaluarën ka mbajtur 6 takime, prej tyre 3 në Kosovë dhe 3 në Strazburg. Takime të tilla mbahen dy herë në vit, ndërsa takimi i radhës është paraparë të mbahet më 25-26 nëntor.